Akustika merret me studimin e tingujve, ultratingujve dhe infratingujve (të gjitha këto janë valë mekanike në gaze, lëngje apo trupa të ngurtë). Zbatimi i akustikës në teknologji quhet inxhinieri akustike. Dëgjimi është një nga mjetet thelbësore të mbijetesës në botën e kafshëve dhe e folura është një nga karakteristikat më dalluese të zhvillimit dhe kulturës njerëzore. Kështu që nuk është çudi që shkenca e akustikës shtrihet në shumë fusha tjera siç janë muzika, mjekësia, arkitektura, industria luftarakee etj.
Fjala akustikë rrjedh nga fjala greke ἀκουστικός (akoustikos) që do të thotë “e dëgjimit ose përdëgjimit”, “i gatshëm për të dëgjuar”[1] dhe nga ἀκουστός (akoustos), “dëgjuar, akustik”,[2] që nga ana tjetër rrjedh nga fjala ἀκούω (akouo), "unë dëgjoj”.[3] Sinonimi latin është sonik.[4] Pasi shkencëtarët e akustikës i zgjeruan studimet e tyre në frekuencat sipër dhe poshtë gamës së dëgjueshme, u bë e zakonshme që këto frekuenca të identifikoheshin si ultrasonike ose infrasonike, ndërsa fjala akustikë i referohet të gjithë gamës së frekuencave pa limit.