Alpet Shqiptare[1] janë vazhdimësi e Maleve Dinarike dhe shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi. Alpet Shqiptare shtrihen deri te lugina e Ibrit rreth 50 km në gjatësi. Në anën e Kosovës ngriten nga fundi i fushës (500–600 m) dhe arrijnë lartësinë mbi 2,000 m, në disa vende priten nga lugina të thella lumore, lumenjtë e Pejës, Deçanit, Erenikut dhe kanë si kufi jugor Drinin. Ky grup malor përbëhet prej disa malesh: Gjeravica (mali më i lartë në Kosovë 2,656 m), Mali i Junikut, Strellci, Lumbardhi, Kopraniku, Hajlës, Zhlebi, Rusolina, Mokna etj. Të gjitha këto male e tejkalojnë lartësinë prej 2,000 m. Ato janë të pjerrëta, në pjesën e sipërme janë në formë të rrafsheve, ku gjenden kullota të mira dhe gjatë dimrit mund të bëhet skijim.
Shqiptarët shquajnë mandej anën perëndimore të maleve, do të thotë atë që vështron për nga ultësirat e Shkodrës dhe në veri tek Përroi i thatë, me emrin Malësia e Madhe, dhe atë jug/jug-lindore me emrin Malësia e Vogël. Këto emërime ndryshojnë vetëm pjesërisht në ndryshime lartësie apo morfologjie.