Gjuha latine ose latinishtja është një gjuhë e lashtë italike indo-evropiane e cila fillimisht është folur në rajonin romak dhe të sotëm të Italisë të quajtur Lacio. Kjo gjuhë fitoi status të lartë si gjuha zyrtare e Perandorisë Romake. Të gjitha gjuhët neolatine e kanë origjinën tek latinishtja dhe fjalë me prejardhje nga kjo gjuhë gjenden edhe sot në gjuhët moderne si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja, portugalishtja, anglishtja etj. Mendohet se 80% e fjalëve zyrtare të gjuhës angleze rrjedhin nga gjuha latine, edhe pse anglishtja nuk konsiderohet gjuhë neolatine. Në botën perëndimore latinishtja vazhdon të cilesohet si gjuhë ndërlidhëse në shkencë dhe politikë që prej 1000 vjetësh. Gjuha latine mbetet gjuha zyrtare e Kishës Katolike Romake, që e bën atë dhe gjuhën zyrtare të Vatikanit. Latinishtja bën pjesë në grupin e gjuhëve italike.
Latinishtja vazhdon të përdoret në krijimin e neologjizmave në gjuhët moderne të shumë familjeve të ndryshme gjuhësore, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Latinishtja dhe gjuhët pasardhëse të saj neolatine janë gjuhët vetme të mbijetuara të grupit italik të gjuhëve indo-evropiane. Gjuha latine tani konsiderohet një gjuhë e vdekur sipas përkufizimeve moderne linguistike; domethënë i mungojnë folësit amtare, pavarësisht se përdoret gjerësisht.
Latinishtja është një gjuhë shumë e lakuar, me tre gjini të dallueshme (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), shtatë rasa emërore (emërore, kallëzore, gjinore, dhanore, ablative, vokative dhe vendqëndrore), pesë gjini, katër konjugime foljesh, gjashtë kohë (e tashme, e pakryer, e ardhme, e përsosur, e plotë dhe e ardhmja e përsosur), tre veta, tre gjendje, dy zëra (pasiv dhe aktiv), dy ose tre aspekte dhe dy numra (njëjës dhe shumës). Alfabeti latin që përdoret nga shumë gjuhë të sotme rrjedh drejtpërdrejt nga alfabeti etrusk dhe grek.[1]
Nga Republika Romake e vonë (viti LXXV para Krishtit), latinishtja e vjetër kishte evoluar në latinishten klasike të standardizuar. Latinishtja vulgare ishte regjistri bisedor me variacione më pak prestigjioze të ruajtura në mbishkrime dhe disa vepra letrare si ato të dramaturgëve komikë dhe autorëve. Latinishtja e vonë është gjuha letrare që flitet nga shekulli III pas Krishtit e tutje. Dialektet e ndryshme rajonale të latinishtes vulgare janë zhvilluar nga shekujt VI-IX dhe vazhduan të transformohen në paraardhësit e gjuhëve moderne neolatine.
Latinishtja mesjetare u përdor në të gjithë Evropën Perëndimore dhe Katolike gjatë mesjetës si gjuhë pune dhe letrare nga shekulli i IX-të deri në rilindje, e cila më pas zhvilloi një formë klasike, e quajtur latinishtja e rilindjes. Kjo ishte baza për latinishtën e re që evoluoi gjatë periudhës së hershme moderne. Në këto periudha latinishtja përdorej në mënyrë produktive dhe përgjithësisht mësohej të shkruhej dhe të flitej, të paktën deri në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë, kur aftësitë e të folurit filluan të bien. Pas lindjes dhe lulëzimit të saj në rrjedhën e të paktën 2.200 vjetëve, latinishtja filloi ngadalë të bie rreth qindvjeçarit të XVI. Megjithatë, latinishtja sot më shpesh studiohet për t'u lexuar sesa për t'u folur ose përdorur në mënyrë aktive.
Latinishtja ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në gjuhën shqipe dhe gjatë historisë ka kontribuar mijëra fjalë në fjalorin e shqipes, kjo më shumë se çdo gjuhë tjeter. Rrënjët latine (dhe greke) akoma përdoren veçanërisht në përshkrimet e teologjisë, disiplinave shkencore (veçanërisht anatomisë dhe taksonomisë), mjekësisë dhe ligjit.