Mikroekonomia është degë e ekonomisë e cila studion se si individët, konsumatorët dhe kompanitë marrin vendime për ti shpërndarë (harxhuar) resurset e kufizuara, kjo paraqet në mënyrë tipike veprimin e tregut ku shiten dhe blihen produktet, pra ku ndeshen oferta dhe kërkesa.
Mikroekonomia analizon se si këto vendime dhe sjellje ndikojnë në ofertën dhe kërkesën e të mirave dhe shërbimeve, që përcaktojnë sasinë e ofrimit dhe kërkimit si dhe çmimin që ndërlidhet me ofertën dhe kërkesën, pra analizon ndikushmërinë e ofertës dhe kërkesës në çmimin si dhe ndikimin e çmimit në ofertën dhe kërkesën. Kjo në të vërtetë thjeshte analizon se si njerëzit sillen me paratë, kohën dhe burimet.
Qëllimi i mikroekonomisë është të analizojë mekanizmat e tregut që përcaktojnë çmimin relativ të produkteve dhe shërbimeve si dhe shpërndarjen e burimeve të kufizuara përmes alternativave të shumta. Gjithashtu mikroekonomia analizon dështimet e tregut, kur tregu dështon në ofrimin e rezultateve efektive.