Nazizmi ose nacional-socializmi është një ideologji politike e lindur në Gjermani. Termi vjen nga NSDAP (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei) dhe programi i partisë në 24 shkurt 1920. Nazizmi ishte ideologji shtetërore në Gjermani nga ardhja në pushtet e partisë naziste në vitin 1933 deri në humbjen ushtarake të ushtrisë gjermane në vitin 1945, ku asaj iu ndalua veprimi në vendin e saj të origjinës.
Nazizmi është një formë e fashizmit dhe shfaqi një farë perçmimi për demokracinë liberale dhe sistemin parlamentar, por gjithashtu përfshiu në nivele të larta antisemitizëm, racizëm shkencor dhe parime ekstreme në lidhje me racat. Nacionalizmi ekstrem vinte si pasojë e Pan-gjermanizmit dhe levizjes Völkisch të dallueshëm në nacionalizmin gjerman të kohës dhe u ndikua shumë nga grupet paramilitare anti-komuniste Freikorp që dolën pas humbjes së Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore, nga e cila erdhi "kulti i dhunës" së partisë i cili ishte "në zemër të lëvizjes".
Nazizmi pranoi teoritë e darvinizmit social dhe hierarkisë racore, duke i identifikuar gjermanët si pjesë e asaj që nazistët quanin racë superiore Arjane apo Nordike. Synonte të mbikalonte ndarjet sociale dhe të krijonte një shoqëri homogjene të bazuar në pastërtinë racore e cila përfaqësonte një komunitet popullor (Volksgemeinschaft). Nazistët synonin të bashkonin të gjithë gjermanët që jetonin në territore historikisht gjermane si dhe të merrnin territore të reja për ekspansionin gjerman nën doktrinën e Lebensraum dhe të përjashtonin ata që i quanin "raca inferiore".
Termi nacional-socialist doli prej përpjekjeve për të ridefinuar "socializmin", si një alternativë ndaj socializmit internacional dhe kapitalizmit. Nazizmi nuk pranoi konceptin Marksist të konfliktit të klasave, kundërshtoi internacionalizmin kozmopolitan, dhe kërkoi që të bindte të gjithë pjesët e shoqërisë së re gjermane që të mos i jepnin rëndësi interesave personalë për hir të të "mirës së përbashkët", duke pranuar interesat politik si prioritetin kryesor të organizimit ekonomik.
Paraardhësja e Partisë Naziste, Partia e Punëtorëve Gjermanë, që ishte nacionaliste pan-gjermane dhe antisemitike, u themelua më 5 janar 1919. Në fillim të viteve 1920, partia mori një emër të ri -- Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë për të tërhequr punëtorët prej partive të krahut të majtë si Social Demokratët (SPD) dhe Komunistët (KPD) dhe Adolf Hitleri mori kontrollin e partisë. Programi nacional-socialist apo "25 pikat" u miratua në 1920 dhe kërkonte një Gjermani të Madhe dhe të bashkuar që do të mohonte qytetarinë e çifutëve apo atyre me prejardhje çifute, duke mbështetur gjithashtu reformën agrare dhe shtetëzimin e disa industrive. Në librin e tij Mein Kampf, Hitleri nënvizoi anti-semitizmin dhe anti-komunizmin në zemër të filozofisë së tij politike, si dhe përçmimin e tij ndaj demokracisë përfaqësuese dhe besimin e tij në të drejtën e Gjermanisë për zgjerim territorial.
Partia Naziste fitoi pjesën më të madhe të votave në dy zgjedhjet e përgjithshme të Reichstagut në 1932, duke e bërë atë partinë më të madhe në legjislaturë, por akoma pa një mazhorancë të plotë. Asnjë nga partitë nuk mundi të krijonte një koalicion qeverisës, kështu që në 1933, Adolf Hitleri u bë Kancelari i Gjermanisë prej presidentit Paul von Hindenburg, nëpërmjet mbështetjes dhe mendimit të pamenduar mirë se ata mund ta kontrollonin atë dhe partinë e tij. Nëpërmjet përdorimit të dekreteve emergjentë presidencialë prej Hindenburgut, dhe një ndryshimi të Kushtetutës së Weimarit i cili lejoi kabinetin të sundonte me anë të dekretit direkt, duke anashkaluar Hindenburgun si dhe Reichstagun, Nazistët formuan një shtet një-partiak.
Sturmabteilung (SA) dhe Schutzstaffel (SS) funksiononin si organizata paramilitare të Partisë Naziste. Hitleri largoi dhe vrau grupimet më radikale ekonomike dhe sociale të partisë në mes të 1934 gjatë të ashtuquajturës Nata e Thikave të Gjata, duke përfshirë dhe drejtuesit e SA, duke përdorur SS. Pas vdekjes së presidentit Hindenburg, pushteti politik u përqendrua në duart e Hitlerit dhe ai u bë kryetari i shtetit të Gjermanisë si dhe kreu i qeverisë, me titullin Führer që do të thotë udhëheqës. Që prej asaj pike, Hitleri ishte praktikisht diktatori i Gjermanisë naziste, e cila ishte e njohur dhe si Reich-u i tretë, nën së cilën çifutët, armiqtë politikë dhe elementë të tjerë "të padëshiruar" u margjinalizuan, burgosën ose vranë. Miliona njerëz u shfarrosën gjatë një gjenocidi që u njoh si Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë 2/3 të popullatës çifute në Europë.
Pas humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore dhe zbulimin e tmerreve të mëtejshme të Holokaustit dhe jo vetëm, ideologjia naziste u bë universalisht turpëruese. Gjerësisht konsiderohet si imorale dhe e ligë, përveç vetëm disa grupeve të vogla raciste, zakonisht të quajtur neo-nazistë që e përshkruajnë veten si ndjekës të Nacional-Socializmit.