Xhonturqit

Një litografi që feston Revolucionin e Rinj Turk. Duke shfaqur udhëheqësit ushtarakë e frymëzimit të lëvizjes: Ahmet Njazi bej Resnja dhe Enver Pasha. Më poshtë është slogani "Liria, barazia, vëllazëria" ("hürriyet, müsavat, uhuvvet")

Xhonturqit ose Zhonturqit (turqisht: Jön Türkler ″Turqit e rinjë″) ishte lëvizje nacionale-borgjeze që lindi në vitet 80 të shek. XIX në Perandorinë Osmane dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan Abdyl Hamitit II. Pas formimit në Stamboll, në maj të vitit 1889, të Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (İttihad ve Terakki), i cili pas disa vitesh u shpërnda nga qeveria e sulltanit, turqit e rinj vijuan veprimtarinë e tyre kryesisht jashtë vendit, ku gjatë viteve 1895-1896 formuan shoqëritë e tyre dhe nxorën një varg organesh shtypi.

Programi i turqve të rinj, i formuluar në mënyrë më të përcaktuar nga grupi i Ahmet Rizajt, që ishte vendosur në mesin e viteve 90 në Paris ku nxirrte gazetën “Meshveret” (“Debatet”), ishte tepër i kufizuar, përmbante vetëm kërkesën e zbatimit të ligjeve që kishin dalë nga koha e Tanzimatit (1839-1876) dhe në mënyrë të veçantë rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876, me të cilat synonin të forconin qëndrueshmërinë e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj. Turqit e rinj ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjen kombëtare, që përbënte problemin themelor të Perandorisë multietnike Osmane dhe synonin në fund të fundit të forconin pushtetin e saj të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e këtij programi e përbënin ruajtja e unitetit dhe e tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e dinastisë Osmane, por me kusht që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një monarki kushtetuese parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin, panturkizmin dhe panislamizmin.


From Wikipedia, the free encyclopedia · View on Wikipedia

Developed by Nelliwinne